NGA ARBEN MYRTA

Ka kohë që më ngacmon kjo pyetje, edhe pse unë e kam përgjigjen e qartë nga jeta e gjatë profesionale jashtë vendit (33 vjet), por po e le të hapur atë deri në fund të shkrimit, kjo i shtyrë edhe nga sa lexoj dhe dëgjoj nga debatet, intervistat apo promovimet për tërheqjen e studentëve në universitetet tona. Këto ditët e fundit tema e studentëve dhe universiteteve tona, si temë e nxehtë, ka pasur reagime të ndryshme nga kolegë të letrave, të masmediave apo akademikë lidhur lidhur me strategjinë e sigurimit të studentëve në të ardhmen për universitetet tona. Ndërkohë, ky postim i imi do të prekë një aspekt tjetër që lidhet me formën dhe besueshmërinë e komunikimit ndaj maturantëve.

Të gjitha universitetet, publike apo private, kanë vënë në qendër të strategjisë së komunikimit vitet e fundit faktin se japin apo do të japin diploma të njëvlershme me një universitet të BE apo të MB, pa përmendur aspak rëndësinë e dijeve reale përtej diplomës. Në këtë fushatë komunikimi masiv, që përjetohet çdo sezon veror para regjistrimeve në universitete, marrin pjesë aktive drejtues të universiteteve, por edhe drejtues të dikastereve dhe të politikës, pa harruar këtu edhe qindra pedagogë të thjeshtë që përcjellin çdo ditë (nuk jam i sigurt nëse e bëjnë me dëshirë apo obligacion institucional) thirrjet e rektorateve përkatës me ofertat më të mira të mundshme pranë universitetit të tyre. Mbase nuk ka rëndësi të madhe, por një gjë e tillë, në këto përmasa, nuk e kam hasur në asnjë vend tjetër.

Atëhere, po ndaj me ju eksperiencën time profesionale 33 vjeçare jashtë Shqipërisë, pas studimeve në ILB, për ti dhënë përgjigje së bashku pyetjes në titullin e postimit.

Nëse duam që studentët e së ardhmes ti drejtojmë drejt tregut evropian apo global (temë që unë nuk e trajtoj në këtë postim) duhet ti tregojmë të vërtetën, shpesh kush flet nuk e din atë vetë, apo flet qëllimshëm me terma të paqarta. E vërteta është se tregu ndërkombëtar i punës së kualifikuar me diplomë universitare, edhe pse shumë i gjërë dhe i ndryshëm për profesione dhe në kushtet e vendeve të veçanta, gjithsesi mund të grupohet si më poshtë:

– Studime pas universitare. Kush dëshëron të vazhdojë sudimet për PhD pas Bachelor-it në Shqipëri, nuk i kërkohet të ketë diplomë BE. Në doktoraturë bëhet konkurs/testim pranimi për dijet e kandidatëve dhe për ata që e pranohen, bëhet një ekujvalentim diplome i përkohshëm për marrjen e titullit PhD.

– Institucionet shkencore. Nëse të diplomuarit shqiptarë duan të punësohen në institucionet shkencore, të një vendi ose ndërkombëtare, nuk kërkohet diplomë e BE por botime shkencore dhe konkurs për dijet që posedohen.

– Kompanitë private. Një treg i madh pune në vendet e BE janë kompanitë private, të mëdha apo të vogla, të një vendi apo korporata ndërkombëtare, që kur punësojnë nuk shohin diplomat por marrin në intervistë me pyetjen ‘çfarë din të bësh’? (Unë personalish jam marrë disa herë në intervistë dhe kam marrë po aq herë të tjerë). Nëse din të bësh diçka mirë dhe në mënyrë bindëse, ndoshta mund të jesh i favorizuar nëse vjen nga një vend i vogël, pasi rrit diversitetin kulturor të kompanisë në fjalë, faktor ky i rëndësishëm për biznesin.

– Strukturat publike. Të punësohesh në strukturat publike të një vendi tjetër duhet patjetër të kesh diplomën e vendit ku kërkon të punësohesh, por më parë të kërkojnë edhe shtetësinë a atij vendi, që kërkon 5-10 vjet pritje, në mos më shumë.

– Vetë punësim. Ky grup i fundit është të vetë punësohesh si konsulent privat. Vetëm këtu nevojitet diploma e njehësuar, pasi para se të fillosh punë duhet të regjistrohesh në Urdhërin Profesional përkatës i cili kërkon detyrimisht diplomën e vendit të tij. Por edhe të vetëpunësohesh, veç profesionit kërkon një njohje të mirë të territorit ku do punosh dhe raporte njerëzore të forta me subjekte të ndryshme, që presupozon vite njohjeje paraprake me kushtet lokale të biznesit.

Pra nga sa shkrova shkurtimisht më sipër, në mbi 90% të mundësive të punësimit jashtë vendit, nuk kërkohet diplomë BE, por një nivel dijesh bashkëkohor, njohja e gjuhëve të huaja dhe mundësisht një nivel kulturor sa më i mirë.

Ato që përmënda, nuk i kam me të dëgjuar por i kam kaluar personalisht në këto tre dekada në shtete dhe vende pune të ndryshme, si në kërkim shkencor, mësimdhënie apo si menaxher kërkimi shkencor në kompani private.

Jam i mendimit se maturantët të këshilluar edhe nga familjet, më shumë se të ndikuar nga marketingu universitar i sotëm janë të interesuar të dijnë se me kë do të mësojnë, cili është stafi në fushën ku dëshërojnë të fillojnë studimet dhe cili është kualifikimi i tyre shkencor. E them këtë edhe nga eksperienca personale, kur zgjodha për doktoraturë në vitin 1995 Universitetin e Barit mund të shkoja edhe gjetiu në universitete më prestigjoze, por kërkova të jem pranë grupit të prof. Giovanni P. Martelli që ishte një personalitet shkencor i atyre viteve, dhe koha më dha të drejtë.

Duke e mbyllur, besoj se i dhashë personalisht përgjigje pyetjes retorike të këtij postimi.