Andrea Stramaçoni është treguar hero dhe pse nuk dëshiron të quhet i tillë. Kjo pasi ish-trajneri i Interit ka shpëtuar dy vajza që po mbyteshin në Pulja.Stramaçoni ndodhej me pushime, ndërsa ndërhyri pa hezitim pasi pa që po kërkohej ndihmë. “Nuk jam hero, por duhet të mos harrojmë se gjëja më e rëndësishme është jeta”, u shpreh Stramaçoni për aktin e tij.Vajzat që morën ndihmën e Stramaçonit janë 17 dhe 19 vjeç. Ish-trajneri tregoi se roja i plazhit, njëjtë si ai, u fut në det pa jelek shpëtimi apo litar.
“Isha nën çadrën e plazhit bashkë me gruan dhe fëmijët e mi. Në një moment njerëzit filluan të grumbulloheshin përgjatë bregut.Një nga rojet e plazhit ishte në ujë dhe fërshëllente për të tërhequr vëmendjen. Dy vajza po bënin me duar dhe po bërtisnin, kështu që u çova menjëherë dhe shkova me nxitim drejt ujit. E ndjeva menjëherë rrezikun. Roja i plazhit nuk do ia dilte kurrë vetëm”, u shpreh ai për situatën e krijuar.Stramaçoni shpëtoi fillimisht vajzën më të madhe, ndërsa më pas u fut sërish në ujë për të ndihmuar rojen bregdetare që po haste vështirësi me vajzën tjetër. Për ngjarjen në fjalë, Stramaçoni mori bluzën e kuqe nga rojet e plazhit.





