Qeveria e Libanit pritet të japë dorëheqjen pas shpërthimit të fuqishëm që ndodhi pasditen e 4 gushtit dhe pas protestave masive që qytetarët e këtij vendi kanë mbajtur prej ditësh.
Deri më tani Ministri i Drejtësisë në Liban, Marie Claude Najm, Ministri i Informacionit Manal Abdel Samad dhe Ministri i Mjedisit Damianos Kattar të gjithë kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre, raporton BBC.
Ndërkohë Ministri i shëndetësisë, Hamad Hasan është shprehur se dorëheqjen e kemi dhënë si një detyrim ndaj popullit.
“Kemi dhënë si përgjegjësi jo si shpëtim prej saj,”– thotë ai. Sakaq pritet që kryeministri i vendit të mbajë një deklaratë para popullit.
Pak ditë pas shpërthimit tragjik në portin e Bejrutit ku mbetën të vdekur 200 persona dhe janë plagosur më shumë se 6 mijë të tjerë, kanë nisur protestat masive në Liban kundër qeverisë.
Qytetarët protestojnë kundër qeverisë duke u shprehur se udhëheqësit nuk po e mbrojnë vendin e tyre. Shkak i katastrofës së 4 gushtit është bërë shpërthimi i 2,750 ton nitrat amoniumi që ishin ruajtur në një mënyrë të pasigurt në një depo për plot gjashtë vite. Deri më tani kanë dhënë dorëheqjen 3 ministra dhe 9 deputetë të qeverisë së Libanit.