Ndeshja e parë e Franco Mastantuonos me fanellën e Real Madridit është karakterizuar me një polemikë “burokratike”. Talenti argjentinas hyri në lojë mbrëmë kundër Osasunës në fitoren 1:0, ndërsa u paraqit me fanellën me numër 30, tipike e skuadrës së rezervave. Një zgjedhje që rrezikon të transformohet në një çështje ligjore.

Sipas Miguel Galán, avokat dhe president i Qendrës Kombëtare të Trajnimit të Trajnerëve (CENAFE), “Los Blancos” kanë bërë një “rreshtim të parregullt”. 

Arsyeja: Mastantuono, i blerë për 60 milionë euro, është në fakt lojtar i ekipit të parë dhe nuk mund të regjistrohet formalisht si lojtar i Castillas. Për këtë arsye, Osasuna i ka 24 orë kohë për ta prezantuar ankesën në Komisionin e Garave të RFEF, i cili madje mund t’ia japë Realit një humbje në tavolinë.

Çështja madje shkon përtej një ndeshjeje. Siç raporton media spanjolle “Sport”, derisa Mastantuono nuk do të jetë i angazhuar rregullisht me skuadrën e rezervave, çdo paraqitje e tij me grupin profesionist do të mbetet subjekt i debatit.

Dhe, nuk është një detaj i vogël: numri 30 i zgjedhur nga lojtari, një “kapriçio” personale, është në kundërshtim me rregullat e Ligës rreth zgjedhjes së numrit të fanellës. Në realitet, prapa kësaj zgjedhjeje ka mundur të jetë edhe një veprim strategjik i Real Madridit: që ta lirojë një vend në ekipin zyrtar dhe për t’i lehtësuar llogaritë e “fair-play” financiar.

Megjithatë, kjo manovër rrezikon të kthehet kundër “Merengues” nëse autoritetet federale vendosin të ndërhyjnë.