Karantinimin për shkak të pandemisë gjatë periudhës së pranverës, jo të gjithë e kaluan te dera e frigoriferit, një pjesë e mirë e shfrytëzoi për të realizuar dëshirat që kishin prej kohësh.
Një ndër to është edhe Esmeralda Rema, e cila kohën e lirë të izolimit në shtëpi e mbushi me krijimin e çantave të saj unike të punuara me dorë.
Në një intervistë për “DurrësLajm”, Emseralda tregon se punimet me dorë i ka mësuar nga e ëma që herët, të cilën e ndihmonte kur kishte porosi.
“Punimet e dorës në fillimet e mia i kam mësuar nga mami im, ajo gjithmonë ka punuar me shtiza dhe grep. Punonte edhe me hak (pagesë) dhe kur kisha kohë e ndihmoja gjithmonë.”
Në karantinë, ajo nisi të merrej fillimisht me lule, por koha e lirë sërish ishte me tepricë dhe kështu nisi të bënte çorape me shtiza për njerëzit e saj të dashur.
Nga një bisedë e rastësishme me kushërirën e saj, Esmeraldës i lindi idea për të bërë çanta dhe “klientja” e parë ishte e bija 5-vjeçare, për të vijuar më pas me vajza të rritura.
“E kisha dëshirë prej shumë kohësh, por profesioni dhe orët e gjata të punës, nuk ma jepnin mundësinë që unë të merresha me diçka të tillë. Gjatë karantinimit, koha e lirë ishte në maksimumin e saj. Në muajin e parë të pushimit e shfrytëzova për të ndenjur vetëm me vajzën sepse kisha rreth 4 vite që nuk kisha kaluar asnjëherë pushime. Me kalimin e kohës filluam të merreshim me lule, aq sa nuk lamë cep të shtëpisë pa vënë vazo, por sërish koha nuk mbytej. Në fund të muajit prill, fillova të merresha me papuçe dhe çorape, bëra shumë palë për njerëzit e mi të dashur. Rastësisht në bisedë me kushërirën time, inxhiniere në profesion, po i thoja që më pëlqen ky trendi i ri jashtë që është me çantat me thurje. Ajo më tregoi se ku ishte një magazinë që kishte materiale të tilla. Po atë ditë bëra porosi me postë dhe të nesermën më erdhen. Çantën e parë e bëra për vajzën time dhe ishte diçka shumë e vockël.”
Që në fillim, 28-vjeçarja e kishte të qartë që produkti i saj do të vinte ndryshe në treg, kështu që për të dalluar nga masa, ishte e vendosur për të krijuar çanta të veçanta për secilën vajzë që do të drejtohet tek ajo. Anjëra të mos ketë një kopje tjetër dhe të përshtatet me buxhetin e personit që e ka porositur.
“Jam me parimin që dua të vi ndryshe në treg. Prodhime serie tregu ka plot , është i mbingopur. Dua që vajzat që blejnë tek unë të jenë unike nga njëra-tjetra. Të gjithë jemi njerëz por jemi të ndryshëm. Çantat që punohen nga unë kanë edhe një gjë tjetër të veçantë. Janë shumë të bukura dhe nëqoftë se ti nuk e përballon dot çmimin, nuk del pa një çantë handmadebagSE sepse unë mund të krijoj diçka me po aq mundësi sa ke ti.”
Esmeraldës i mjafton vetëm një ditë për të përfunduar një çantë dhe deri më tani ka punuar mbi 60 të tilla.
“Më mjafton vetëm një ditë për të bërë një çantë, por janë disa faktorë të tjerë që mund të ndikojë në zgjatjen e kohës. Varet çfarë kam unë gjendje si material dhe çfarë vajzat kërkojnë, nëse e porosis për sa kohë më vjen, ndërkohë që ti vendos për çantën, unë marr porosi të tjera. Por gjithsesi mundohem të jem e përpiktë, sidomos kur çanta e porositur është për dhuratë.”
E nëse mendoni se çantat e saj janë të shtrenjta, e keni gabim pasi duke qenë ekonomiste në profesion, ajo thotë se ka nxjerrë një kosto të saktë për të sjellë në treg një çmim të arsyeshëm.
“Unë jam ekonomiste me profesion, mbase nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë, por më ka ndihmuar të nxjerr një kosto të saktë për të sjellë në treg një çmim të arsyeshëm. Puna e çantave më ndihmon më shumë për t’u shplodhur, sidomos reagimi i vajzave pasi marrim çantën. Komentet pozitive janë pa fund dhe motivuese.”
Por cila grupmoshë i preferon më shumë çantat e punuara me dorë dhe çfarë materialesh duhen për krijim e tyre?
“Grupmosha që i preferon më shumë janë femrat 25-45 vjeçe. Për të sjellë një produkt në radhë të parë të duhet idea. Sa i përket materialeve, baza e çantës janë fija, baza e poshtme (kastor, dru mëshin), zinxhiri për rripin, zinxhiri për ta mbërthyer, kapës të ndryshme, astar, peri, gjilpëra etj etj sipas llojit të çantës.”, përfundon Esmeralda.
Për të gjitha vajzat që duan të kenë një çantë të veçantë e të personalizuar apo edhe djemtë që po mendojnë të surprizojnë femrat e jetës, Esmeralda ju vjen në ndihmë sa hap e mbyll sytë, mjafton një follow (ndiq) në rrjetin social Instagram Handmadebagse, për të bërë porosinë sipas preferencave tuaja kombinuar me idetë e 28-vjeçares.
G.D.





