Një aksident tragjik ka ndodhur në rrugët e Italisë, duke i marrë jetën një 22-vjeçari shqiptar. Mediet fqinje raportojnë se ka mbetur viktimë shqiptari Franko Caushaj.

I riu humbi jetën pas përplasjes së makinës në një kthesë në Zorlesco. Ngjarja ndodhi rreth orës 2:00 të mëngjesit të së hënës. Sipas asaj që shkruajnë mediat, Caushaj u dërgua në spital, por për shkak të plagëve të rënda ai humbi jetën në spital.

22-vjeçari sapo kishte dalë nga një lokal dhe nuk po i drejtohej shtëpisë në Casalpustelengo, por ishte nisur drejt Lodit. Pas disa kilometrash ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën. Makina u ngjit në trotuar dhe më pas u përplas me një pemë disa metra larg shtëpive të zonës.

Zhurma e frikshme e përplasjes bëri që banorët të dilnin nga shtëpitë dhe të lajmëronin menjëherë autoritetet kur panë makinën e shkatërruar. Caushaj kishte pësuar disa trauma të rënda në kokë dhe gjoks.

Policia po heton për të zbuluar shkaqet e aksidentit. Caushaj jetonte prej vitesh me familjen në Itali dhe njihej në zonë pasi punonte në disa prej lokaleve të frekuentuara.