Në fshatin Vranisht të Himarës, dy vëllezër kanë goditur fizikisht me sende të forta 3 punonjës të policisë, pasi këta të fundit shkuan për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti midis vëllezërve dhe fqinjit të tyre.

Një prej vëllezërve është arrestuar, ndërsa tjetri është shpallur në kërkim.

“Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. V., 49 vjeç banues në fshatin Vranisht, si dhe kanë shpallur në kërkim vëllain e tij, shtetasin I. V., 44 vjeç.

Në fshatin Vranisht, Himarë, shtetasi M.V në bashkëpunim me vëllain e tij I.V kanë goditur fizikisht dhe me sende të forta duke u shkaktuar dëmtime 3 punonjësve të policisë së rendit publik, pasi këta të fundit shkuan për të parandaluar përshkallëzimin e një konflikti midis vëllezërve dhe fqinjit të tyre”,– njofton policia.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim.