Një burim nga Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (GUR) ka deklaruar për agjencinë AFP se Kievi qëndron pas dy operacioneve të sabotimit të zhvilluara këtë fundjavë ndaj rrjetit hekurudhor të Rusisë, ku si pasojë humbën jetën tre persona.
Sipas burimit anonim, GUR në bashkëpunim me njësi të ushtrisë ukrainase, ndërmori një sulm të shtunën në rajonin rus të Oryol dhe një tjetër mëngjesin e sotëm në rajonin e Leningradit.
Guvernatori i Leningradit, Aleksandër Drozdenko, konfirmoi përmes Telegram se dy trena dolën nga shinat në zona të ndryshme të rajonit, por pa shkaktuar viktima. Sidoqoftë, GUR mori përgjegjësinë vetëm për një nga incidentet, duke deklaruar se shpërthimi ndodhi rreth orës 02:30 të mëngjesit në një seksion të linjës hekurudhore mes Shën Petersburgut dhe Pskovit.
Nga ky sabotim, u shkatërrua një tren mallrash me 15 vagonë cisternë, që sipas GUR kishin në përmbajtje karburant, ndërsa autoritetet ruse pohuan se vagonët ishin të zbrazët dhe nuk pati të lënduar.
Ndërkohë, një tjetër incident ndodhi në afërsi të stacionit Semrino, ku u derdh nga shinat një tjetër tren dhe u vra makinisti, sipas guvernatorit Drozdenko.
Në një ngjarje të ndarë më shumë se 800 kilometra larg, në rajonin perëndimor rus të Oryol, një shpërthim tjetër goditi linjat hekurudhore, duke shkaktuar vdekjen e tre pjesëtarëve të Gardës Kombëtare ruse. Sipas autoriteteve ruse, viktimat ishin pjesë e një ekipi për çminim, të cilët ishin dërguar në vendin e ngjarjes pasi punëtorët e hekurudhës kishin gjetur mina në terren.
GUR njoftoi se këto operacione kishin për qëllim të ndërprisnin lidhjet hekurudhore mes qyteteve Oryol dhe Kursk, të cilat përdoren nga Rusia për transportimin e trupave dhe furnizimeve drejt vijës së frontit në Ukrainë.
Që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, shpërthimet, sabotimet dhe zjarret në rrjetin hekurudhor rus janë bërë të zakonshme, për të cilat Moska shpesh akuzon Kievin. Ukraina, kur merr përgjegjësinë, thekson se këto sulme synojnë logjistikën ushtarake ruse.





