Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, ka reaguar për herë të parë ndaj dënimit të presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro me 27 vite burg, duke i quajtur komentet e Donald Trump të papërgjegjshme dhe të pabaza.

Në një artikull për “New York Times”, Lula thekson se gjykimi i Bolsonaro-s “nuk ishte gjueti shtrigash”, por një vendim historik i Gjykatës së Lartë të Brazilit, për të cilin shprehet krenar. Artikulli i presidentit brazilian mban titullin: “Demokracia dhe sovraniteti i Brazilit nuk janë të negociueshme.”

Deklarata e Lulës vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump shprehu “habinë e tij të madhe” për dënimin e mikut të tij të afërt politik, duke akuzuar drejtësinë braziliane për përndjekje politike. Në shenjë hakmarrjeje, administrata e Trump vendosi tarifa doganore 50% ndaj shumë produkteve braziliane, ndërsa sanksionoi disa nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që trajtuan çështjen.

Sipas drejtësisë braziliane, Bolsonaro u shpall fajtor për udhëheqjen e një komploti për të penguar marrjen e pushtetit nga Lula, i cili fitoi zgjedhjet e vitit 2022. Ai akuzohet gjithashtu për nxitjen e dhunës gjatë trazirave të 8 janarit 2023, kur protestuesit sulmuan godinat qeveritare në kryeqytetin Brasília, ngjarje që kujtoi sulmin ndaj Kapitolit në SHBA, më 6 janar 2021.