Rusia ka paralajmëruar të hënën se do të ndjekë çdo shtet evropian që synon të marrë asetet e tij, pas raportimeve se Bashkimi Evropian po kërkon mënyra të reja për të shfrytëzuar qindra miliarda dollarë asete të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën.
SHBA-ja dhe aleatët e saj ndaluan transaksionet me bankën qendrore ruse dhe ministrinë e Financave pasi presidenti rus, Vladimir Putin dërgoi ushtrinë e tij në Ukrainë në vitin 2022. Ato po ashtu bllokuan 300-350 miliardë dollarë asete sovrane ruse, kryesisht obligacione qeveritare evropiane, amerikane dhe britanike të mbajtura në një depozitë letrash me vlerë evropiane.
Reuters ka raportuar se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dëshiron që Bashkimi Evropian të gjejë një mënyrë të re për të financuar mbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë, duke përdorur paratë e gatshme të lidhura me asetet ruse të ngrira në Evropë.
Politico ka raportuar se Komisioni Evropian po shqyrton idenë e përdorimit të depozitave ruse të parave të gatshme për të financuar një “Kredi Dëmshpërblimi” për Ukrainën.
“Nëse kjo ndodh, Rusia do t’i ndjekë shtetet e BE-së… që përpiqen të na sekuestrojnë pronën, deri në fund të shekullit”, ka shkruar ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev në Telegram.





