Ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, është vënë nën hetim nga prokurorët antikorrupsion, të cilët kanë hapur një procedurë paraprake lidhur me mosdeklarimin e një koleksioni bizhuterish luksoze, me vlerë të konsiderueshme.
Sipas ligjit francez, çdo zyrtar i zgjedhur është i detyruar të deklarojë pasuritë dhe sendet me vlerë mbi 10,000 euro, ndërsa shkelja e kësaj detyre mund të dënohet me deri në tre vjet burg dhe një gjobë prej 45,000 eurosh.
Rachida Dati ka mohuar më herët çdo shkelje, duke deklaruar në muajin maj se “nuk ka asgjë për të korrigjuar” në deklaratën e saj të pasurisë.
Zyra e saj nuk ka reaguar pas njoftimit të prokurorisë për nisjen e hetimeve, që erdhi “pas raportimeve për shkelje të mundshme në lidhje me mosdeklarimin e bizhuterive”, sipas deklaratës zyrtare të prokurorëve.
Rasti i bizhuterive nuk është i vetmi që ka vënë në vështirësi ministren franceze.
Në verë u konfirmua se ajo do të dalë para gjykatës për një tjetër çështje korrupsioni, këtë herë së bashku me ish-drejtuesin e Renault-Nissan, Carlos Ghosn.
Prokurorët e akuzojnë Dati se ka marrë pagesa për shërbime konsulence nga një degë e kompanisë Renault, por pa ofruar realisht shërbimet e pretenduara.
Përkundrazi, thuhet se ajo ka përdorur pozicionin e saj si eurodeputete për të promovuar interesat e grupit automobilistik, në mënyrë të papërshtatshme.





