Gjykata e Kasacionit i ka dhënë fund procesit gjyqësor për vrasjen e Alessandra Matteuzzi, duke lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Giovanni Padovani-n, ish-futbollistin dhe modelin amator 29-vjeçar, i cili vrau brutalish ish-të dashurën e tij 56-vjeçare në Bolonjë më 23 gusht 2022.

Vendimi, i marrë pas një shqyrtimi që zgjati pak më shumë se dy orë, hodhi poshtë ankesën e mbrojtjes, të përfaqësuar nga avokati Gabriele Bordoni, dhe miratoi kërkesat e Prokurorit të Përgjithshëm.

Krimi, i ndodhur jashtë shtëpisë së viktimës, tronditi thellësisht qytetin.

Alessandra Matteuzzi u sulmua me dhunë të paprecedentë: Padovani e goditi me shqelma, grushte, çekiç dhe e sulmoi me një stol hekuri të marrë nga kopshti i apartamentit.

Viktima, e cila ishte në telefon me motrën e saj Stefania gjatë sulmit, nuk arriti t’i shpëtonte.

Vrasja u rëndua nga paramendimi, motivet e liga, përndjekja dhe lidhja emocionale midis viktimës dhe vrasësit.

Në nëntor 2024, Gjykata e Apelit e Bolonjës kishte konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë në shkallën e parë në shkurt të atij viti.

Gjyqtarët theksuan se Padovani e konsideronte Alessandrën “objekt prone”, duke i mohuar asaj të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe duke e ndëshkuar për vendimin për t’i dhënë fund marrëdhënies dhe për pabesinë e supozuar.

Një ekspertizë psikiatrike përcaktoi se i pandehuri ishte plotësisht i aftë mendërisht, duke refuzuar përpjekjet e mbrojtjes për të argumentuar paqëndrueshmëri mendore.