Izraeli po vijon operacionin e ndërhyrjes në Gaza, me qëllim mposhtjen totale të Hamasit, teksa mijëra njerëz largohen nga qyteti me nxitim.
Bombardimet e 24 orëve të fundit nga IDF raportohet se kanë lënë 83 persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.
Sipas “Al Jazeera”, Forcat izraelite kanë nisur një valë të re sulmesh në Gaza, duke goditur zonat pranë disa prej spitaleve të pakta që kanë mbetur në funksion. Raketat goditën zonat përreth spitaleve al-Shifa dhe al-Ahli, ndër të paktat që ende funksionojnë.
IDF mohon se objektiv i sulmeve janë spitalet, duke deklaruar se shenjëstron bazat ku strehpohet Hamasi.
Gjithashtu një anëtar i Hezbollahut , i akuzuar nga Tel Avivi për furnizimin me armë të milicisë shiite, u vra në një sulm me dron të IDF-së në qytetin verilindor libanez të Baalbek. Sipas ushtrisë izraelite, Hussein Sharif ishte një trafikant i madh që punonte nga Libani për të drejtuar qelizat terroriste në Siri dhe për të kryer sulme kundër Izraelit. Veprimet e tij “përbënin shkelje të marrëveshjeve midis Izraelit dhe Libanit”, tha IDF në një deklaratë të lëshuar nga Times of Israel.
Burime sigurie të cituara nga mediat izraelite thonë se Hamasi ka vendosur forca dhe burime terroriste për të kryer sulme në të gjithë Bregun Perëndimor. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë njoftuar më pas se kanë intensifikuar operacionet e arrestimit kundër të dyshuarve për aktivitete terroriste në zonë.





