Një ngjarje e pabesueshme ka ndodhur sot me skuadrën e Monako, që është detyruar të anulojë udhëtimin një ditë para ndeshjes së Ligës së Kampioneve kundër Klub Bryzh në Belgjikë. Skuadra franceze kishte hipur në avion, por një situatë e pazakontë detyroi që të ndryshonte planet.
Defekti i ajrit të kondicionuar në avion, bëri që brenda mjetit fluturues të bëhej shumë nxehtë dhe lojtarët teksa pritnin të niseshin, vendosën të zhvisheshin për të shpëtuar nga vapa. Futbollisti Xhordan Teze ka filmuar pjesë të këtij momenti tu çuditshëm dhe aty shihen ai dhe shokët e tij të ekipit teksa qëndronin në mbathje brenda avionit.
Defekti nuk rregullohej e kësisoj, lojtarët u urdhëruan që të uleshin nga avioni, pasi fluturimi do të anulohej. Dhe ata dolën ashtu në mbathje dhe të djersitur në pistën e aeroportit, në pritje që të vinte t’i merrte dikush. Për këtë ngjarje është njoftuar edhe UEFA, e cila ka rënë dakord që ekipi francez të udhëtojë në ditën e ndeshjes për në Belgjikë.





