Pemët dekorative që prej vitesh zbukuronin një pjesë të rrugës “Egnatia”, nga stacioni i vjetër i trenit deri te hyrja e Portit Detar sot u sharruan për t’i hapur rrugë investimit që po realizohet në këtë aks. Të vetmet pemë që kishin mbetur për t’i dhuruar pak gjelbërim dhe hije kalimtarëve dhe banorëve të zonës u “sakrifikuan” për t’i hapur rrugë trotuareve të gjera.
Në pranverë, ky aks të dhuronte një pamje mbresëlënese, pasi kumbullat dekorative “Pissardi” me lule ngjyrë rozë dhe gjethe të kuqe të errët bënin kontrast me rrugët e tjera kryesore të Durrësit ku ngrenë krye palmat shtatlarta.
Ashtu si dhe në shumë rrugë të tjera të qytetit bregdetar, ku është investuar vitet e fundit apo në shëtitoren “Taulantia” (ku investimi nuk ka përfunduar ende), gjelbërimi reduktohet për t’i lënë hapësirë pllakave dhe betonit.
Jo më larg se dy javë më parë, Qendra Mjedisore për Mbrojtje, Edukim dhe Rehabilitim (EPER Center) njoftonte, se në bazë të një studimi të bërë, Durrësi ka humbur në vitet 2015-2020, 4.38 ha gjelbërim urban. Pra vetëm në 5 vitet e fundit, qyteti bregdetar ka humbur thuajse gjysmën e sipërfaqeve të gjelbëruara urbane në zonën qendrore të tij (zona A).
Me prerjen e kumbullave “Pissardi” qyteti humb një pjesë tjetër të kurorës së gjelbërt urbane, ndërkohë që pas përfundimit të investimit në këtë aks do të akordohen të tjera para të tatimpaguesve për të blerë pemë të reja dekorative.
Prej rreth dy muajsh, Fondi Shqiptar i Zhvillimit është duke investuar për rikonstruksionin e rrugës “Egnatia” në dy pjesë të veçanta të saj (nga rrethrrotullimi i stacionit të trenit deri tek “Flagship” dhe nga shkolla “Jusuf Puka” deri te kryqëzimi i rrugës “Grigor Durrsaku”).
Fondi Shqiptar i Zhvillimit po financon rehabilitimin e dy rrugëve kryesore në qytetin bregdetar (rruga “Dëshmorët” dhe rruga “Egnatia”), me një fond që kap vlerën rreth 190 milionë lekë me TVSH.
Punimet që po realizohen në këtë aks janë shoqëruar me indinjatën e qytetarëve durrsakë, pasi investimi nisi paralelisht me periudhën kur Durrësi hapi sezonin turistik. Investimi në këtë aks u denoncua në muajin korrik edhe nga kreu i degës së PD Durrës, Ferdinand Xhaferraj, i cili tha se “punimet po bëhen pa studim, pa konsultim me qytetarët dhe nuk po bëhen në mënyrën dhe kohën e duhur.”
M.B.





