Qeveria e Spanjës ka miratuar një ndalim total të eksportit të armëve drejt Izraelit.
Kjo masë është pjesë e një pakete masash për të ndalur atë që kryeministri Pedro Sánchez e ka quajtur “gjenocid në Gaza”.
Në një konferencë për shtyp, ministri i Ekonomisë, Carlos Cuerpo, njoftoi se dekreti ndalon eksportin e çdo materiali ushtarak, si dhe të produkteve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë drejt Izraelit.
Po ashtu, Spanja ndaloi edhe importi i këtyre pajisjeve në territorin spanjoll.
Dekreti ndalon gjithashtu kërkesat për tranzit të karburantit për avionë me përdorime të mundshme ushtarake dhe importin e produkteve që vijnë nga vendbanimet izraelite në territoret palestineze të okupuar, përfshirë edhe reklamimin e tyre.
“Ky vendim përbën një hap të rëndësishëm dhe është pionier në nivel ndërkombëtar për sa i përket ndalimit të plotë të armëve ndaj Izraelit”, tha Cuerpo pas miratimit të masës nga qeveria.
Qeveria në Madrid thekson se kjo masë “forcon në mënyrë juridike” ndalimin e shitjes apo blerjes së pajisjeve ushtarake me Izraelin, e cila aplikohet që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë, por do të duhet të miratohet edhe nga Parlamenti, ku qeveria e majtë e Sánchez nuk ka shumicën.





