Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një postimi në rrjete sociale, i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të kërkojnë detyrimisht faturën tatimore për çdo produkt apo shërbim që marrin.
Përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, Drejtoria e Tatimeve ka shpjeguar se fatura tatimore është një hap drejt formalizimit të ekonomisë. Fillimisht, Administrata Tatimore rikujton se është detyrim ligjor që të lëshohet fatura e fiskalizuar.
“Administrata Tatimore rikujton tatimpaguesit se, në zbatim të ligjit nr. 87/2019, “Për faturimin dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, janë të detyruar të lëshojnë fatura të fiskalizuara për çdo shitje mallrash apo ofrim shërbimi.
Nga ana tjetër, i sjellim në vëmendje qytetarëve se edhe ata kanë një rol të rëndësishëm, në zbatimin e këtij ligji. Çdo qytetar duhet të kërkojë dhe të pajisjet me faturë tatimore për çdo blerje apo shërbim të kryer”, thuhet në video.
Kështu, Drejtoria e Tatimeve ka bërë një dallim midis një fature të fiskalizuar dhe asaj jo të fiskalizuar. Një kupon i fiskalizuar përmban numrin e veçantë identifikues, që është unik për çdo faturë, si dhe kodin QR ë fund.
“Për t’iu ardhur në ndihmë, Administrata Tatimore, përmes kësaj videoje, ilustron qartë dallimin midis një fature të fiskalizuar dhe një fature jo fiskale, duke theksuar elementet që i bëjnë ato të identifikueshme.
Fatura e fiskalizuar përmban elementet e mëposhtëm:
Numri identifikues i veçantë i faturës (NIVF), një kod unik për çdo faturë të fiskalizuar, që lidh faturën me subjektin lëshues.
Kodi QR, i cili mund të skanohet dhe të verifikohet në kohë reale përmes sistemit të Administratës Tatimore. Këto fatura regjistrohen automatikisht në sistemin e Administratës Tatimore në momentin e lëshimit“, thuhet në video.
Nga ana tjetër, një faturë jo e fiskalizuar nuk përmban as NIVF, e as Kodin QR.
“Fatura jo fiskale nuk përmban asnjë nga elementet e mësipërme dhe nuk garanton që transaksioni është i regjistruar, duke krijuar mundësi për shmangie tatimore.
Edhe nëse një figurë jo fiskale ngjan vizualisht me një të fiskalizuar, verifikimi i saj është i mundur përmes skanimit të kodit QR. Nëse ky kod mungon ose nuk funksionon, fatura nuk është e fiskalizuar“, sqarohet në video.
Ndaj, duke bërë këto dallime, Drejtoria Tatimore bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast abuziv që favorizon shmangien e detyrimeve të një operatori të caktuar biznesi.
Marrja e faturës është e drejtë dhe detyrim ligjor dhe një mënyrë për të siguruar që të gjitha transaksionet ekonomike të jenë transparente dhe të deklaruara.
Mosmarrja e faturës favorizon informalitetin dhe shmangien e detyrimeve tatimore, çka dëmton klimën e biznesit, ekonominë dhe interesin publik.
Për të luftuar informalitetin dhe me qëllim formalizimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë, u bëjmë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të zbatojnë ligjin për lëshimin dhe pajisjen me faturë të fiskalizuar, si dhe të denoncojnë rastet abusive në kanalet zyrtare të Administratës Tatimore“, sqarohet në video.





