Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçi ka ankimuar vendimin për izolimin e klientëve të tij në qelinë e posaçme “41-bis”.
Pasi ka bërë ankimimin Meçi ka deklaruar se klientët e tij po mbahen padrejtësisht në kushte shumë të vështira, ndërsa e ka cilësuar sistemin BIS një propagandë.
“Nga interpretimi i asaj dizpozite, rezulton se për këto vepra penale duhet të ekzistonte një vendim i formës së prerë. Nga vendimi i ministres, dhe këtu ka një lapsus nga ana e ministres… Nuk ka asnjë informacion të karakterit të tillë nuk ka asnjë vendim të na tregojë shkaqet.
Ajo që më bën përshtypje është se ne i kemi takuar 2 ditë rrjesht klientët, ata ndodhen ndodhen në kushte të vështira higjenike, nuk kanë ndërresa. Ç’ka është vënë në dukje edhe nga shumë vendime të gjykatës së Strasburgut, që i kanë konsideruar këto si trajtime çnjerëzore.
Atyre po iu mungon gjithçka edhe kontakti normal me avokatët e tyre mbrojtës, nuk kanë asnjë lloj kushti higjenik. Ka pasur qëllime të tjera ministrja në lançimin e sistemit. Nuk ka informacion pse janë futur në sistem. Nuk ishte e mundur të kishim një takim normal sepse nuk kishte një ambient të përshtatshëm për një takim normal”, tha Meçi.
Më tej, ai shtoi se Shullazi është revoltuar lidhur me vendimin për t’u izoluar në sistemin e sigurisë së lartë dhe për mënyrën si janë trajtuar.
“Ai është i çuditur i suprizuar dhe i revoltuar për mënyrën si është trajtuar në rastin konkret. Është operacion propagandistik, e kanë publikuar për të thënë se ja Shqipëri tashmë është duke luftuar krimin e organizuar dhe kryekriminelin Shullazi, për akuzat që përveç faktit që janë të paprovuara, nuk janë akuza të rënda”, tha ai.





