Gratë kanë rrezik më të lartë gjenetik për depresionin, thotë një studim i ri.

Studimi gjenetik i publikuar në Nature Communications thotë se është më i madhi deri më sot për ndryshimet midis sekseve gjatë depresionit pasi ka gjetur 16 variante gjenetike që lidhen me depresionin te gratë dhe tetë te burrat.

Në të kuptohet se pjesa më e madhe e varianteve janë të përbashkëta, por ka “një barrë më të madhe rreziku gjenetik te gratë që mund të jetë për shkak të varianteve specifike te to”.

“Ne e dimë se gratë kanë dy herë më shumë gjasa që të vuajnë nga depresioni sesa burrat. E dimë që depresioni ndryshon nga një person te tjetri.

Deri më tani, nuk ka pasur shumë kërkime të qëndrueshme për të shpjeguar pse depresioni prek ndryshe burrat dhe gratë, duke përfshirë edhe rolin e mundshëm të gjenetikës”, tha Brittany Mitchell.

Studimi thotë se ka shpjegime që mbulojnë hapësirat e sjelljes, mjedisore dhe biologjike duke përfshirë burrat që kanë më pak gjasa të kërkojnë ndihmë duke mos u diagnostikuar dhe ekspozimin mjedisor si fakti që gratë janë më të ekspozuara ndaj abuzimit seksual dhe dhunës ndërpersonale.

Në studim përcaktohet nevoja për “një qasje të gjithanshme” për të kuptuar mekanizmat e depresionit, por propozon se një “element kyç” mund të jetë “ndryshimi gjenetik”.

Shkencëtarët analizuan ADN nga Australia, Holanda, SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar ku kampioni i fundit rezuloti në 130 mijë e 471 gra dhe 64 mijë e 805 burra me depresion. 159 mijë e 521 gra dhe 132 mijë e 185 burra nuk vuanin prej tij.

Ata zbuluan lidhje më të forta gjenetike te gratë midis depresionit dhe veçorive metabolike si indeksi i masës trupore dhe sindroma metabolike.

Autori Jodi Thomas tha se këto ndryshime gjenetike “mund të ndihmojnë për të shpjeguar pse gratë me depresion shpesh përjetojnë simptoma metabolike si ndryshime në peshë apo në energji“.

Kërkuesit theksuan se studimi përfshiu thuajse dyfish më shumë gra se burra dhe kryen analiza shtesë për t’u siguruar se rezultatet nuk vareshin nga kampionët.

Ata pranuan faktin që analiza u përqendrua më shumë te popullsia europiane duke kufizuar zbatueshmërinë te popuj të tjerë.