Policia e Sarandës vuri në pranga sot një 49-vjeçar, i identifikuar si Alban Muço, i cili dyshohet se prezantohej si përfaqësues i institucioneve të drejtësisë për të përfituar në mënyrë të paligjshme. Në kuadër të këtij rasti është arrestuar edhe një tjetër shtetas, Erlind Çukari, 19 vjeç, i akuzuar për mbajtje armësh pa leje dhe për strehim të personit të dyshuar.
Sipas uniformave blu, Muço krijonte një strukturë të rreme me disa persona, të cilëve u kishte thënë se i kishte punësuar si agjentë të policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Të përfshirëtit, nën pretendimin se punonin zyrtarisht, kishin marrë përsipër shpenzimet për strehim, ushqim dhe karburant, me premtimin se do të kompensoheshin më vonë nga institucioni i Prokurorisë.
Autoritetet bëjnë me dije se 49-vjeçari përdorte gjithashtu identitete të rreme, duke u paraqitur në raste të ndryshme edhe si prokuror i SPAK-ut, me qëllim të fitimit të besimit dhe aksesit në institucione dhe tek subjekte private. Në disa raste ai pretendonte se do të blinte automjete në emër të Prokurorisë së Përgjithshme, duke mashtruar bizneset për përfitime materiale.
Gjatë kontrolleve të kryera nga Policia janë sekuestruar një armë zjarri automatike e tipit “Shars”, municion luftarak, aparatura radio-komunikimi që ngjajnë me ato të Policisë, dokumente që dyshohen si zyrtare dhe një kompjuter, sende të cilat dyshohet se janë përdorur në aktivitetet mashtruese.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë, pas marrjes së informacionit se një shtetas prezantohej si funksionar publik, për qëllime përfitimi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Deceiver”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-A. M., 49 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;
-E. Ç., 19 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Nga hetimet dyshohet se duke u prezantuar si prokuror dhe duke i premtuar se do të paguheshin nga institucioni i Prokurorisë, shtetasi A. M. ka punësuar disa shtetas në shërbim të tij, të cilëve ia ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik. Gjithashtu, ka kërkuar favore në institucione dhe subjekte të ndryshme.
Nga verifikimet e kryera, rezultoi se 49-vjeçari ishte në kërkim pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi është paraqitur në institucione dhe iu ka marrë para qytetarëve, duke u prezantuar si prokuror.
Në vijim të veprimeve hetimore për dokumentimin e rastit, u krye kontroll në banesën e shtetasit E. Ç., në Sarandë, ku qëndronte shtetasi A. M. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatik tip “Shars”, municion luftarak dhe dokumente të ndyshme zyrtare, radio si të Policisë dhe një kompjuter të cilat dyshohen se janë përdorur nga shtetasi A. M., për mashtrime.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme procedurale.





