Skandali për ngacmim seksual që tronditi botën e Formulës 1 në fundin e vitit 2024, duket se është mbyllur më një marrëveshje me miliona euro. Kjo duket se shënon fundin e një çështjeje që shpërtheu në shkurt të vitit 2024, gjatë testeve parasezonale të Formula 1 në Bahrein, dhe që tronditi botën e garave.

Madje, gazetarët e akredituar nga FIA për sezonin e F1 morën “e-mail”-e anonime që përmbanin mesazhe dhe foto të Kristian Hornerit, qindra të tilla, me të cilat ai dyshohej se kishte ushtruar presion ndaj asistentes së tij personale te Red Bulli, Fiona Hjuitson. Këto mesazhe ishin arsyeja e një hetimi të brendshëm për “sjellje të papërshtatshme”, ku më pas Horner u shpall i pafajshëm, por çështja nuk u mbyll plotësisht.

Pas hetimit, Hjuitson u shkarkua nga pozicioni i saj te Red Bulli, gjë që e shtyu atë të padisë ligjërisht kompaninë në Gjykatën e Punës në Mbretërinë e Bashkuar. Tashmë, sipas gazetës “De Telegraaf”, “është bërë e qartë se është arritur një marrëveshje dhe padia e ngritur nga zonja në lidhje me rastin Horner është tërhequr.

Nëse rasti do të vazhdonte, e gjithë historia mes tyre, përfshirë edhe të gjitha bisedat telefonike me Hornerin, do të dilnin në pah gjatë gjyqit. Me pak fjalë: gjithçka do të zbulohej publikisht”, shkruan gazetari Erik van Haren, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Red Bull dhe familjen Vershtapen.