Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë rreth 200 trupa ushtarakë në Izrael për të monitoruar armëpushimin në Gaza, pasi Izraeli miratoi armëpushimin në Gaza dhe planin për lirimin e pengjeve.

BBC raporton se trupat amerikanë do të punojnë së bashku me forcat nga Egjipti, Katari, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por nuk do të hyjnë në Gaza.

Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtarët amerikanë thanë se një “qendër koordinimi civil-ushtarak” do të ngrihet në Izrael për të mbështetur shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza, si dhe operacionet logjistike dhe të sigurisë.

Mësohet se trupat amerikane do të punojnë në koordinim me ushtrinë izraelite.

Ndërkohë një zyrtar tjetër shtoi se vendosja e saktë e forcave amerikane është ende duke u përcaktuar dhe do të trajtohet sot.

Gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë dje, Donald Trump vlerësoi Admiralin Brad Cooper, kreun e Komandës Qendrore të SHBA-së, për rolin e tij në negociata.