Policia ka arrestuar sot një 28-vjeçar pasi kishte blerë një makinë, por nuk i kishte bërë pagesën pronarit. 28-vjeçari banues në Tiranë, i kishte premtuar personit që i bleu makinën se do ta bënte pagesën përmes transfertave në llogarinë e tij bankare.
Pronari 37-vjeçar i automjetit ka denoncuar të riun për mashtrim, pasi sipas tij koha e kryerjes së pagesës ndaj automjetit nga 28-vjeçari, kishte mbaruar. Policia ka arrestuar 28-vjeçarin dhe i ka kthyer makinën pronarit.
Njoftimi i Policisë
Si rezultat i hetimeve të kryera me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit të një rasti mashtrimi, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në koordinim me Prokurorinë, finalizuan operacionin “Transferta”. Gjatë operacionit u ndalua shtetasi K. K., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se një 37-vjeçar i ka dhënë me mirëbesim, automjetin, shtetasit K. K., i cili e ka mashtruar se pagesën për automjetin do t’ia transferonte nëpërmjet llogarisë bankare. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.





