Në muajin prill të vitit të ardhshëm në qytetin Bern të Zvicrës pritet të mblidhen 1200 përfaqësues nga kompanitë shqiptare lider të diasporës, por edhe Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Themeluesit e shoqatës DEF po zhvillojnë gjatë këtyre muajve takime intensive me përfaqësues të bizneseve më të mëdha shqiptare për t’i bërë pjesë të këtij forumi.
Siç na tregon një nga themeluesit e DEF, Shpend Bajrami, ata do të bashkohen në Forumin më të madh Ekonomik të Diasporës (DEF), një event ky mjaft i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes bizneseve të administruara nga shqiptarët kudo në botë, por edhe me vendet e tyre të origjinës.
“Vetëm në Zvicër ka mbi 15 mijë kompani, që udhëhiqen apo janë pronë e shqiptarëve. Nuk po llogarisim këtu Gjermaninë, Italinë e vende të tjera. Në Zvicër ka shumë shoqata që i lidhin shqiptarët mes veti, por një urë lidhëse me vendet e origjinës, për mendimin tonë nuk ekziston”.
Prej dekadash tashmë në Evropë, SHBA e më gjerë, shqiptarët kanë themeluar bizneset e tyre, shpesh mjaft të suksesshme, duke dëshmuar se janë shumë konkurues edhe me homologët e tyre në vendet ku jetojnë e punojnë. Por në cilat fusha të ekonomisë janë më të suksesshëm shqiptarët?
“Nëse marrim Zvicrën janë më të zhvilluar në IT, ndërtimtari dhe gastronomi. Ndërsa nga kontaktet që kemi pasur prej themelimit të DEF, në Shqipëri dhe Kosovë kompanitë me investime në prona të paluajtshme (Real estate) dhe IT janë shumë të zhvilluara.”
Themeluesit e shoqatës DEF synojnë që eventi që do të mbahet në datat 16-17 prill 2026 në Zvicër të kthehet në një takim të përvitshëm.
M.B.





