Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është shprehur se kur t’i përfundojë mandati si prokuror i SPAK, nuk do të rikandidojë më.
Komentet Dumani i bëri në mbledhjen e komisioneve parlamentare të Ligjeve dhe Nismat Qytetare, ku raportoi për punën e institucionit që drejton.
Dumani gjatë fjalës së tij kërkoi që 11 prokurorëve të posaçëm t’u jepet shansi që të rikandidojë sërish, pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar.
Kjo pasi sipas Dumanit, është e pamundur që t’i zëvendësosh këta prokurorë, aq më tepër që ata kanë çështje që po i ndjekin për vite me radhë.
“Në përfundim të mandatit tim nuk do të rikandidoj. Unë flas në emër të institucionit, të paktën 11 prokurorëve të posaçëm u mbaron mandati brenda 1 viti.
Mund ta imagjinoni boshllëkun që krijohet. Vlerësoj se nuk kemi aq shumë burime njerëzore, se po të kishim s’do duhej gjithë ajo reformë, sa t’i zëvendësojmë këta prokurorë, 11 prokurorë në një vit.
E dyta është tjetra, këta prokurorë kanë çështje që i ndjekin me vite të tëra dhe në një moment të bukur ti i thua ‘mandati jot mbaroi s’ke më punë me çështjen’, pengohen hetimet në këtë drejtim.
Shteti shqiptar, BE dhe SHBA kanë investuar në këtë trupë prokurorësh për t’u rritur profesionalisht, për të krijuar imunitet ndaj politikës, biznesit e krimit të organizuar.
Nuk kemi luksin që një prokuror i specializuar për hetimin e një kategorie të veçantë krimesh ta çojmë në një prokurori të përgjithshme dhe nga një krim i sofistikuar të fillojë të hetojë vjedhje të thjeshta, kanosjen, shkeljet e rregullave të qarkullimi rrugor”, tha mes të tjerash Dumani.
Kujtojmë se 11 prokurorëve të posaçëm ju përfundon mandati në vitin 2028.





