Një grua 50-vjeçare ka ndërruar jetë gjatë një operacioni për heqjen e peshës. 50-vjeçarja italiane Milena Mancini, ka ndërruar jetë pas 20 ditësh në kujdes intensiv në Spitalin Universitar të Stambollit. Mediat e huaja shkruan se Mancini ishte shtruar në spital pas një problemi gjatë një procedure liposuction në kryeqytetin turk. Sipas burimeve të pakonfirmuara mjekësore, gruaja dyshohet se pësoi një dëmtim në stomak gjatë procedurës.
50-vjeçarja ishte agjente pasurish të paluajtshme dhe vajza e industrialistit Alvaro Mancino, një nga themeluesit dhe drejtorët e Indexa SpA, një kompani e specializuar në mirëmbajtje dhe shërbime industriale.
Sipas asaj çka raportojnë mediat, konsullata italiane në Stamboll kishte qenë në kontakt me familjen që nga 18 shtatori, data e raportit të spitalit, duke ofruar ndihmë dhe duke monitoruar situatën. Përditësimi i fundit ishte më 7 tetor, kur të afërmit raportuan një përmirësim të gjendjes klinike. Pas lajmit të vdekjes, misioni diplomatik kërkoi sqarime nga spitali për të përcaktuar shkaqet e përkeqësimit të papritur.





