Kryeministri socialist spanjoll Pedro Sanchez njoftoi sot se qeveria e tij do të publikojë në nëntor një listë të simboleve të frankoizmit që do të “hiqen” nga hapësira publike, 50 vjet pas vdekjes së gjeneralit Franco, kreut të diktaturës ushtarake që sundoi vendin nga viti 1939 deri në vitin 1975. “Ju njoftoj se në fund të nëntorit do të publikojmë në Gazetën Qeveritare listën e plotë të elementeve dhe simboleve të frankoizmit me qëllim që t’i heqim ato përgjithmonë nga vendi dhe rrugët tona”, tha Sanchez në një fjalim para ligjvënësve.

Vendimi u mor ndërsa 20 nëntori shënon 50-vjetorin e vdekjes së Gjeneralit Francisco Franco, në një vend që mbetet i ndarë për shkak të trashëgimisë së diktaturës së tij.

Spanja ende ka mijëra statuja, emblema ushtarake, emra rrugësh dhe sheshe në nder të diktatorit, diçka që shumë organizata dhe qeveria e krahut të majtë e Sanchez e kanë denoncuar prej kohësh.
Një shembull tipik është “Harku i Triumfit”, në hyrjen perëndimore të Madridit, një ndërtesë neoklasike e ndërtuar në vitet 1950 për të festuar fitoren e trupave të Francos mbi forcat ushtarake demokratike gjatë Luftës Civile (1936-1939). Në vitin 2007, qeveria socialiste e José Luis Rodríguez Zapatero nisi ndryshimin me ligjin e “kujtesës historike” që i detyroi qeveritë lokale të hiqnin simbolet “që lavdërojnë” diktaturën nga hapësirat publike.

Ky trend u përforcua nga zgjedhja në vitin 2018 e Sánchez, i cili hoqi eshtrat e Francos nga mauzoleu “Lugina e të Rënëve” në mënyrë që varri i tij të mos ishte më një vend grumbullimi për ata nostalgjikë për diktaturën, dhe në vitin 2022 ai miratoi një ligj mbi “kujtesën demokratike”. Falë këtij ligji, dhe pavarësisht kundërshtimit nga e djathta, u krijua një dosje e viktimave të Francos, dënimet e lëshuara nga regjimi i tij u anuluan dhe u ushtrua presion mbi qeveritë lokale që dukeshin të tërhequra për të hequr simbolet e Francos.