Çmimi i arit ka njohur luhatje të forta në tregjet ndërkombëtare, duke shënuar këtë muaj një rritje të ndjeshme për shkak të pasigurive ekonomike dhe tensioneve gjeopolitike në disa rajone të botës.
Vetëm përgjatë kësaj jave, ari u tregtua me 4 mijë e 347 dollarë për ons, një nga vlerat më të larta të javëve të fundit, ndonëse më pas ka pësuar rënie të lehtë me 5 deri në 7%.
“Interesi për ar është shtuar për shkak të tensioneve në tregje dhe luhatjeve gjeopolitike. Ai shihet si një mundësi e mirë investimi, sepse të mbron nga situatat e jashtëzakonshme si inflacioni apo zhvlerësimi i monedhës”, tha Ergis Sefa, ekspert i financave.
Në tregun vendas, bizhuteritë prej floriri janë sot rreth 20% më të shtrenjta se dy vite më parë. Një gram flori në Tiranë shitet nga 8 deri në 10 mijë lekë, në varësi të karatit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, edhe rezervat zyrtare të arit janë rritur me 28.3% në krahasim me një vit më parë, duke arritur në 317 milionë euro ose 1.56 tonë ari monetar, që përbën rreth 4.5% të rezervave totale monetare të vendit.
“Situata është kryesisht spekulative. Nuk ka tregues realë që justifikojnë rritjen e fortë të çmimit në raport me përdorimin e floririt. Me stabilizimin e tregjeve dhe armëpushimet në konfliktet e fundit, pritet që çmimi të bjerë gradualisht”, tha Klodian Muço, ekspert i ekonomisë.
Në renditjen botërore të rezervave të arit, Shqipëria pozicionohet rreth vendit të 95, ndërsa importet e floririt vazhdojnë të rriten vit pas viti, duke reflektuar interesin e lartë të tregut.





