Autoritetet portugeze kanë arrestuar katër persona pasi ndaluan një nëndetëse në Oqeanin Atlantik, që transportonte më shumë se 1.7 tonë kokainë drejt gadishullit Iberik.

Sipas zyrtarëve, mjeti u lokalizua dhe u sekuestrua gjatë ditëve të fundit, ndërsa pamjet e publikuara tregojnë momentin kur policia dhe marina portugeze e rrethojnë dhe hipin në bord, duke sekuestruar lëndën narkotike të klasës A dhe arrestuar ekuipazhin me katër anëtarë, të gjithë me origjinë nga Amerika e Jugut.

Policia njoftoi se të arrestuarit dy ekuadorianë, një venezuelas dhe një kolumbian, janë lënë në paraburgim pas paraqitjes në gjykatë në ishujt Azore të martën. Shefi i njësisë portugeze kundër trafikut të drogës, Vítor Ananias, deklaroi në një konferencë për shtyp se kombësitë e ndryshme të të dyshuarve tregonin se organizata që qëndron pas tyre nuk vepron vetëm nga një vend i vetëm.

Qendra për Analizë dhe Operacione Detare (MAOC), me seli në Lisbonë, kishte marrë ditët e fundit informacione se një organizatë kriminale po përgatiste nisjen e një nëndetëseje të ngarkuar me kokainë, e destinuar për tregjet evropiane.