Nancy Pelosi, gruaja e parë dhe e vetme që ka shërbyer si Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe një nga figurat më të fuqishme të Partisë Demokratike për dekada me radhë, ka njoftuar se nuk do të kandidojë për rizgjedhje në vitin 2027.

Në një video disa minutëshe të publikuar të enjten pasdite, 85-vjeçarja Pelosi deklaroi: “Ka qenë nderi më i madh për mua të qëndroj në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të them: ‘Unë flas për popullin e San Franciskos’. E kam dashur me shpirt shërbimin tim në Kongres dhe gjithmonë e kam respektuar himnin e Shën Françeskut – ‘Zot, më bëj një instrument të paqes sate’. Për këtë arsye dua që ju, bashkëqytetarët e mi të San Franciskos, të jeni të parët që e dini: unë nuk do të kandidoj për rizgjedhje në Kongres.”

Pelosi theksoi se pret “me mirënjohje” vitin e fundit të mandatit të saj, duke i bërë thirrje qytetarëve të San Franciskos të vazhdojnë të jenë aktivë në mbrojtjen e demokracisë dhe idealeve amerikane. “Ne kemi bërë histori, kemi përparuar dhe kemi udhëhequr rrugën. Ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë, duke marrë pjesë aktive në demokracinë tonë dhe duke mbrojtur idealet e Amerikës,” tha ajo.

Njoftimi i saj i dha fund javëve të spekulimeve për një dorëheqje pas 38 vitesh në Kongres. Pelosi u zgjodh për herë të parë në vitin 1987 dhe në vitin 2007 u bë gruaja e parë në histori që mbajti postin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve — një rol që e rifitoi pas zgjedhjeve të vitit 2018. Ajo mbetet e vetmja grua që ka mbajtur ndonjëherë “çekiçin” e drejtimit të Dhomës.

Njoftimi vjen vetëm dy ditë pas një prej fitoreve më të mëdha politike të demokratëve, të cilën partia ia atribuon drejtpërdrejt Pelosi-t — një fitore dërrmuese në një referendum në Kaliforni që riformësoi hartën zgjedhore në favor të demokratëve përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit të vitit 2026. Sipas bashkëpunëtorëve të saj, Pelosi ka mbledhur dhjetëra miliona dollarë për fushatën në mbështetje të kësaj mase.

Në vitet e fundit, ajo është përqendruar kryesisht në qëndrimin kundër presidentit Donald Trump, me të cilin është përplasur në mënyrë të përsëritur. Gjatë drejtimit të saj, Dhoma e Përfaqësuesve zhvilloi dy procese shkarkimi ndaj Trump-it, ndërsa Pelosi u bë e njohur ndërkombëtarisht pas momentit simbolik kur grisi publikisht tekstin e fjalimit të tij për Gjendjen e Kombit në vitin 2020.