Zbulimi i një arsenali armësh në Nikël të Fushë-Krujës ka shtuar edhe më shumë enigmën rreth atentatit të rëndë të ndodhur më 11 nëntor pranë aeroportit të Rinasit, ku humbi jetën Gilmando Dani, ndërsa miku i tij, Muçi Shaljani – i njohur edhe me nofkën “Sheqeri” dhe pjesë e strukturave të AMP-së – mbeti i plagosur rëndë.

Arsenali u gjet gjatë kontrolleve intensive të forcave RENEA, me kërkesë të hetuesve, të cilët prej 3 ditësh po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Në qendër të hetimeve ka përfunduar Ylli Zalla, banesa e të cilit u bë vendi ku policia zbuloi një sasi të konsiderueshme armësh luftarake.

Sipas burimeve hetimore, Zalla dyshohet të jetë personi që ka furnizuar atentatorët me armët e përdorura. Ai është shpallur në kërkim dhe aktualisht po vijon krehja e zonës për gjurmë të tjera që mund të çojnë në kapjen e tij.

Zhvillimi i hetimit nisi kur kamerat e sigurisë regjistruan lëvizjet e automjetit “Toyota Corolla Hybrid”, me të cilin lëvizën autorët para se të godisnin objektivin e tyre.

Pamjet e çuan policinë drejt një rruge dytësore në Nikël, pikërisht te lagjja ku ndodhet ndër të tjera edhe shtëpia e Zallës. Pasi hetuesit ndoqën itinerarin e makinës, RENEA ndërhyri në banesën e tij, duke zbuluar një depo të vërtetë armatimi.

Në brendësi të shtëpisë u sekuestruan armë automatike, mitraloz, granata dore, fishekë të kalibrave të ndryshëm, fitile zjarrpërcjellëse, si dhe lëndë plasëse të lidhura me celularë, të gatshme për shpërthim në distancë.

Sasia dhe diversiteti i armëve sugjerojnë se ato mund të jenë përdorur jo vetëm për atentatin e 11 nëntorit, por edhe për veprimtari të mëtejshme kriminale.

Sipas skenarit të rindërtuar nga hetuesit, Autorët, që udhëtonin me një Toyota të vjedhur në Greqi më 22 tetor 2023 dhe me targa po të vjedhura një vit më vonë, i kanë pritur për disa minuta pranë rrethrrotullimin e Rinasit. Në momentin që Mercedezi i bardhë i viktimave është futur në qarkullim, atentatorët kanë qëlluar me breshëri, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të Danit.

Grumbullimi i provave nga mjeti i atentatorëve dhe nga arsenali i gjetur pritet të luajë rol kyç në identifikimin e plotë të autorëve, ndërsa hetimet po shtrihen edhe në pistën e furnizimit me armë dhe lidhjet e mundshme kriminale të të kërkuarit Ylli Zalla. /oranews