Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që përjashton importet e kafesë, frutave ekzotike dhe mishit të viçit nga tarifat e vendosura më herët këtë vit.

“Kam vendosur që disa produkte bujqësore nuk duhet t’i nënshtrohen tarifave hakmarrëse,” thuhet në urdhrin presidencial, duke theksuar se këto janë artikuj që SHBA-ja nuk i prodhon dot ose nuk i plotëson në masën e kërkuar nga konsumatorët.

Lista e përjashtimeve përfshin kafenë, çajin, bananet dhe fruta të tjera ekzotike, si dhe mishin e viçit – një produkt që ka parë rritje rekord të çmimeve në tregjet amerikane.

Kujtojmë se në prill, administrata Trump vendosi tarifa të paktën 10% për shumicën e importeve, me synimin për të mbështetur prodhimin vendas dhe ulur deficitin tregtar. Por këto masa prekën edhe produkte ushqimore që nuk prodhohen në vend, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve.

Ekonomistët paralajmërojnë se çmimet e ushqimeve mund të rriten edhe më shumë në vitin e ardhshëm, pasi kompanitë po fillojnë të transferojnë kostot shtesë te konsumatorët.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë thotë se ky përjashtim i ri synon të lehtësojë presionin ekonomik ndaj familjeve amerikane, ndërsa debatet rreth efektit të tarifave pritet të vijojnë.