Nga Shpëtim Kodra

Një veprimtari përkujtuese në 60- vjetorin e ndarjes nga jeta të Prof. Ziaudin H. Kodrës, dibranit që jetësisht studioi  gjuhën, letërsinë dhe kulturën arbëreshe, u zhvillua në Dibër të Madhe me 15.11.2025. U përgatit nga familja Kodra në Tiranë, me ndihmën e vyer të Prof. Dr. Emeritus Emil Lafes. Një kontribut me përkushtim e profesionalizëm në redaktimin e Veprës, dha Dr, Thoma Qendro (nga Durrësi). Pati mbështetjen tepër të vlefshme nga “Shoqata “Bashkësia dibrane” (Tiranë), Shoqata për histori dhe trashëgimi kulturore “Dibra” në Dibër të Madhe, Fondacioni arsimor kulturor humanitar “Alsar” ( Tiranë) dhe Qendra e Studimeve dhe Publikimeve Arbëreshe (Tiranë).

Kujtesa, si shërbim ndaj të vërtetës, nuk shuhet. Kujtesa është dëshmi, përgjegjësi, mirënjohje dhe detyrim qytetar. Dibra ka një histori të pasur, të lashtë e të ndritur.Liria – thelbi i shpirtit e i mendjes së dibranëve të shumtë, të cilët ranë në fushën e betejës për liri e pavarësi dhe mbetën të pavdekshëm. Shumë patriotë të shquar sakrifikuan e ia kushtuan jetën  arsimit, kulturës dhe gjuhës shqipe. Në korrik 1909 u zhvillua Kongresi për gjuhën shqipe në Dibër. Kryetari i kongresit, Vehbi Agolli (Dibra) dhe një komision, kërkuan futjen e mësimit të detyruar të gjuhës shqipe në shkolla dhe themelimin e shkollave shqipe në të gjithë Shqipërinë. Një ndër personalitetet më të rëndësishëm të albanologjisë, prof. Ziaudin Kodra lindi në Dibër të Madhe, po në korrik të vitit 1909.

“Mësuesi i merituar” iu kushtua tërë jetën mësimdhënies dhe studimeve për gjuhën e letërsinë shqipe dhe kryesisht për letërsinë arbëreshe. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, si patriot antifashist, u internua në Itali. Pas Luftës ishte ndër të parët e më i përkushtuari, që punoi me shumë pasion e vullnet në fushën e gjuhës, letërsisë dhe trashëgimisë kulturore arbëreshe, por edhe si mësues e pedagog. Ka pasqyruar gjerësisht përpjekjet e arbëreshëve për të ruajtur përkatësinë e tyre etnike, përmes lëvrimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë artistike, të shkruar shqip. Operoi në një fushë, ku kishte mangësi, por ai i shërbeu misionit të tij, për ta vënë në qendër të vëmendjes së studiuesve edhe gjuhën dhe letërsinë  abëreshe.

Autor, bashkautor, apo redaktor në mjaft punime shkencore. Tekstet dhe studimet e vyera të prof. Z. Kodrës i ruajnë vlerat dhe aktualitetin. Ato mund të shërbejnë për punën studimore të studiuesve rë rinj. Po ndalem shkurt kyesisht te dy boshtet (drejtimet) themelore të ideologjisë së Rilindjes, që përshkojnë veprat e shkrimtarëve më të rëndësishëm arbëreshë:

A.Lashtësia e gjuhës shqipe dhe e shqiptarëve. Autoktonia.

B. Lufta e popullit shqiptar  nën udhëheqjen e Skënderbeut në shek.XV.

Përkundër miteve të rreme, të imponuara nga paranojat në sistemet jodemokratike, këto dy drejtime janë shndërruar në mite simbolike, që ushqejnë pozitivisht ndërgjegjen kombëtare dhe jetojnë pa kufi. Në historinë e kombit mitet luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e ndjenjës së përkatësisë, autoktonisë dhe krenarisë kombëtare. Në vijim po evidentoj disa mendime, mbështetur te studimet e prof. Z.Kodrës. Gjuha është elementi themelor që identifikon kombin dhe përcakton karakterin etnik të popullit. Studiues të ndryshëm arbëreshë, me njohuri të gjera, por me metoda jo rigorozisht shkencore, si Engjëll Mashi, Zef Krispi e Gjon Skiroi, mbrojtën tezën e origjinës pellazge të gjuhës shqipe e të shqiptarëve, tezë e cila u përvetësua nga De Rada dhe shumica e shkrimtarëve arbëreshë. Synonin të nxirrnin në pah lashtësinë dhe fisnikërinë e popullit tonë; më tepër si simbol poetik, se sa si tezë shkencore gjuhësore. Me ngacmimin e krenarisë kombëtare, atëherë ajo tezë luajti një rol pozitiv në zgjimin dhe përforcimin e vetëdijes kombëtare. Si vepër serioze cilësohet “Sprovë e gramatologjisë krahasuese të gjuhës shqipe” e Dhimitër Kamardës, i cili mbronte edhe tezën se shqipja është më e vjetër se latinishtja, në disa aspekte kulturore.

Sot disa autorë nacionalistë ekstremë, jo gjuhëtarë e historianë të mirëfilltë, e përdorin tezën pellazgjike, për të theksuar që grekët janë pasardhësit më të drejtpërdrejtë të pellazgëve, pra populli më i lashtë i Evropës, duke përfshirë shqiptarët, si një degë “dytësore, ose e humbur” e pellazgëve, që më vonë janë “shqiptarizuar, apo barbarizuar”. Qëllimi është për të mohuar autoktoninë e shqiptarëve, si komb më vete.

B. Miti i Skënderbeut, epopeja heroike e shqiptarëve në shek. XV është tema më e preferuar, është burimi kryesor për frymëzimin e shkrimtarëve të Rilindjes arbëreshe në shek. XIX. Skënderebeu, një figurë mitike që simbolizon shpirtin e Arbërisë, qëndresën heroike, karakterin liridashës dhe që ngjall besimin e rrit krenarinë kombëtare të shqiptarëve.

Përmes figurës së Skënderbeut, si një udhëheqës dhe strateg i mençur, arbëreshët mbajtën gjallë ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe e trajtuan si ura lidhëse e së kaluarës heroike me aspiratat për të ardhmen e kombit. Kryevepra e De Radës, vepra e parë kryesore e Rilindjes arbëreshe e shqiptare, “Milosao” (1836), një roman lirik autobiografik, i vendos ngjarjet në shek.XV.  De Rada është i pari poet kombëtar, me karakteristikat e poetit romantik të kohës, që frymëzohet nga poezia popullore, siç vepruan Mickieviçi, apo Botevi. Shembulli i tij frymëzues u ndoq edhe nga shkrimtarët e tjerë të shquar arbëreshë. Gavril Dara i Ri është i pari që skicoi, në mënyrë pak a shumë të plotë figurën e Skënderbeut. “Kënga e sprasme e Balës”, me  një art  të rrallë, ringjalli epokën e shkëlqyer të Skënderbeut. Ndërsa Zef Skiroi, që në gjimnaz, hartoi poemthin “Skënderbeg” e më pas  poemthin “Kruja”.

Ende sot ka përpjekje për ta përvetësuar emrin, apo origjinën e Heroit tonë Kombëtar. Por një dokumentar turk për Skënderbeun (2019), vulos  përfundimisht vendlindjen dhe datëlindjen e saktë të tij: Sinjë (Dibër), 6 maj 1405. Aty evidentohet qartë figura simbol e shpatës dhe e mendjes brilante të Heroit tonë. Sulltan Mehmeti II citohet të ketë thënë: “Kurrë nuk ka për të dalë mbi tokë një luan si Skënderbeu”. Shkrimtari ynë më i shquar, I. Kadare shprehet: “De Rada e cilëson Skënderbeun “të pafat”, ngaqë nuk arriti dot ta tërhiqte plotësisht Evropën, për të luftuar në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë ai bëri të pabesueshmen. Testamentin e tij e zgjoi Rilindja arbëreshe dhe shqiptare. Skënderbeu është programuesi i parë i Projektit për rikthimin e Shqipërisë në Evropë, Në këtë pikë ai doli i pamposhtur, qoftë edhe kundër Shqipërisë, kur ajo e humbi orientimin drejt Evropës, siç ndodhi gjatë komunizmit.”

Kjo për mitin e Skënderbeut, për të cilin ka buste e monumente, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës.   

Miti i prejardhjes ilire të shqipes dhe të shqiptarëve, është mbështetur nga shumë gjuhëtarë, historianë dhe arkeologë prej më autoritarëve të botës. Ndërsa për “origjinën e përbashkët pellazge greko-shqiptare”, të përdorur padrejtësisht e me keqdashje kundër kombit tonë, kemi një përcaktim të qartë e të saktë, po nga Kadareja, që shkruan: ”Jemi tri qytetërime të lashta (greke, ilire e romake), tre popuj, tri kultura, tri gjuhë. Ekzistenca e asnjërit nuk mund të kushtëzohet prej tjetrit”.