Forcat e armatosura po kërkojnë rreth 25 vajza të shkollës së mesme, të cilat u rrëmbyen në Nigerinë veriperëndimore. Ky është një incident që ka shkaktuar reagime të forta në Shtetet e Bashkuara, ku qarqet konservatore, përfshirë Presidentin Donald Trump vazhdojnë të pretendojnë se të krishterët persekutohen në vendin afrikan. Të dielën në mbrëmje, persona të armatosur rrëmbyen 25 vajza të shkollës së mesme nga një shkollë vajzash në Maga, në shtetin Kebbi të Nigerisë veriperëndimore dhe vranë zëvendësdrejtorin, Hassan Makuku.
“Një nga nxënëset arriti të arratisej kur u tërhoqën me forcë, duke lënë 24 të tjera për momentin”, tha zyrtari i informacionit të shtetit, Alhaji Yakubu Ahmed.
Mediat e huaja shkruajnë se rrëmbimet masive janë të zakonshme në Nigeri, vendin më të populluar të Afrikës Perëndimore dhe të pllakosur nga pasiguria. Rasti më famëkeq është rrëmbimi masiv i gati 300 nxënëseve nga Boko Haram në fshatin Chibok në vitin 2014. Presidenti nigerian Bola Tinubu shprehu keqardhjen e tij për rrëmbimin e vajzave të shkollës, në një deklaratë të lëshuar dje.
“Forcat tona të sigurisë nuk do të jenë në gjendje të na mbrojnë nëse qytetarët nuk bashkëpunojnë dhe nuk ndajnë informacione që do t’i ndihmojnë ata të garantojnë sigurinë e komuniteteve tona”, theksoi Tinubu.
Rrëmbimi vjen në një kohë tensionesh të larta midis Shteteve të Bashkuara dhe Nigerisë, me Trumpin që denoncoi vrasjet e të krishterëve nga terroristët islamikë dhe ngriti mundësinë e ndërhyrjes ushtarake amerikane në vend. Autoritetet nigeriane i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se në vend po vriten më shumë myslimanë sesa të krishterë.





