Një 49-vjeçare është vënë në pranga nga policia e Tiranës, pasi është zbuluar se shiste rroba të të kontrabanduara nga Greqia.

Sipas policisë, dyshohet se rrobat janë vjedhur në Greqi dhe më pas janë kontrabanduar drejt vendit tonë.

Në pranga ka rënë shtetasja me iniciale, E.K., ndërkohë që nga dyqani në rrugën “Demneri”, Yzberisht, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme veshjesh të ndryshme, për të cilat 49-vjeçarja nuk dispononte dokumentacion doganor apo fatura blerjeje.

Njoftimi:

Finalizohet si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të DVP Tiranë me Drejtorinë e Hetimit të Krimeve në DPPSh, operacioni policor i koduar “Outlet”.

Goditet një rast i kontrabandimit në Shqipëri, të mallrave të dyshuara të vjedhura në Greqi.

Zbulohet dhe bllokohet dyqani në Yzberisht, ku shiteshin mallrat (veshjet) e kontrabanduara.

Vihet në pranga administratorja e dyqanit.

Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Krimet në Volum në DPPSh, si rezultat i administrimit të informacioneve të siguruara për një rast të kontrabandës së mallrave, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Outlet”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasja:

-E. K., 49 vjeçe, banuese në Tiranë.

Gjatë kontrollit në subjektin tregtar që administronte kjo shtetase, në rrugën “Demneri”, Yzberisht, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme veshjesh të ndryshme, për të cilat ajo nuk dispononte dokumentacion doganor apo fatura blerjeje.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.