Tre gra janë marrë nën procedim penal dhe po hetohen nga Prokuroria, pasi akuzohen për falsifikimin e dokumenteve me qëllim përvetësimin e pronave.
Policia e Lezhës konfirmoi sot (20 nëntor) se ngjarja ka ndodhur në zonën e Milotit dhe është nisur procedimi nga Policia e Kurbinit, e cila më tej ka referuar edhe materialet në prokurori për dy nga gratë që kanë kryer falsifikimin dhe për të tretën që përfitoi pronën.
Akti i paligjshëm është kryer dy dekada më parë dhe është denoncuar së fundmi.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Sh., F. K., dhe L. S., banuese në Milot, pasi dyshohet se shtetasit A. Sh. dhe F. K., në vitin 2005, kanë falsifikuar dokumente pronësie në favor të shtetases L. S.”, bëri me dije policia vendore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.





