Rexhep Tajip Erdogan zhvilloi një bisedë telefonike me Vladimir Putin të hënën pasdite. Sipas deklaratës së Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës Turke, në bisedë u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Rusisë, lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, si dhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Gjatë diskutimit, Presidenti Erdogan theksoi se Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë “përmes një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Presidenti turk tha gjithashtu se Ankaraja “është e gatshme të kontribuojë, siç ka bërë në të kaluarën, në çdo iniciativë dhe plan diplomatik që do të lehtësojë kontaktin e drejtpërdrejtë midis dy palëve dhe do të hapë rrugën për një paqe të qëndrueshme në rajon”.
Nga ana e saj, deklarata e Kremlinit tha se “u ra dakord të intensifikohen kontaktet midis Rusisë dhe Turqisë në nivele të ndryshme mbi çështjen ukrainase”.





