Një aksident tragjik është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën Tiranë-Durrës.
Një 28-vjeçar nga Durrësi ka humbur kontrollin mbi automjetin, dhe më pas makina është përplasur me bordurat anësore të rrugës. Si pasojë, 28-vjeçari Akil Gjeçaj ka humbur jetën në spital.
“Më datë 27.11.2025, rreth orës 00:30, në autostradën Tiranë-Durrës, shtetasi A. Gj., 28 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin, dhe më pas automjeti është përplasur me bordurat anësore të rrugës.
Si pasojë, 28-vjeçari ka humbur jetën në spital. Punohet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”- njofton policia e kryeqytetit.
I riu që humbi jetën mëngjesin e sotëm ishte përfshirë në muajin gusht në një tjetër ngjarje.
Mesgushtin e këtij viti, në banesën e babait të tij në Shkozet shpërtheu një sasi e vogël tritoli, që shkaktoi vetëm dëme materiale. Në atë kohë policia dyshonte se shkak për vendosjen e tritolit nuk ishte 66-vjeçari, pronar i banesës, por djali i tij 28-vjeçar, Akili.
“Në orët e para të mëngjesit të sotëm, ambientet e jashtme të banesës së shtetasit I. Gj., 66 vjeç, në lagjen nr. 14, është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.”, njoftoi policia e Durrësit më 13 gusht.
Sipas bluve, 28-vjeçari rezultonte me precedent penal 2 vite më parë, pasi akuzohej për vjedhje.





