Rreth orës 18:00 të së premtes, më 28 nëntor, pronari i një magazine në Via delle Fabbriche, në zonën Voltri të Xhenovës, njoftoi numrin 112 për praninë e një personi të dyshuar që kishte hyrë pa autorizim në ambientet e firmës së ndërtimit.

Patrullat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe, falë sinjaleve të radios dhe monitorimit të kamerave të sigurisë në rrugët përreth, u informuan se i dyshuari kishte dalë nga dera e pasme duke thyer drynin e magazinës.

Oficerët e lokalizuan dhe ndaluan menjëherë të dyshuarin, i cili kishte me vete një karrocë dore, një çantë dhe disa pako.

Nga kontrolli rezultoi se ai kishte marrë vegla pune dhe sende të tjera të depozituara në magazinë, të cilat kapnin vlerën e rreth 2 mijë eurove.

Midis tyre ishte edhe dryni i thyer.

Pronari identifikoi të gjitha sendet e gjetura, të cilat u sekuestruan për hetime të mëtejshme, sipas raportimeve të mediave italiane.

39-vjeçari, i cili ka pasur më parë dënime të tjera penale, u arrestua dhe u dërgua për seancën paraprake të ditës së sotme.

Ai akuzohet për vjedhje, për marrjen e mallrave të vjedhura dhe për mbajtjen e objekteve të rrezikshme me potencial dëmtues.