Airbus njoftoi sot se pjesa më e madhe e rreth 6.000 avionëve të tipit A320, të cilët u prekën nga problemi i cenueshmërisë ndaj rrezatimit të fortë diellor, kanë marrë tashmë përditësimin e kërkuar të softuerit gjatë fundjavës.

Sipas kompanisë, kanë mbetur më pak se 100 avionë që duhet t’i nënshtrohen ende përditësimit përpara se të kthehen në shërbim.

“Airbus kërkon ndjesë për çdo problem dhe vonesë të shkaktuar për pasagjerët dhe linjat ajrore për shkak të këtij incidenti. Kompania falënderon klientët, autoritetet, punonjësit dhe të gjithë aktorët e përfshirë për mbështetjen në zbatimin e këtyre masave dhe për mirëkuptimin ndaj vendimit të Airbus për ta vendosur sigurinë mbi çdo tjetër parametër,” thuhet në njoftim.

Rreth 6.000 avionë të Airbus, kryesisht të familjes A320 dhe disa të modeleve të tjera, duhet të zëvendësojnë urgjentisht një softuer kontrolli të cenueshëm ndaj rrezatimit diellor, bëri të ditur kompania evropiane e industrisë aeronautike.

Të premten, Airbus u komunikoi klientëve në mbarë botën që operojnë avionë të familjes A320 që të ndalonin përkohësisht fluturimet derisa të realizoheshin rregullimet e nevojshme, pas analizës së një incidenti që “zbuluoi se rrezatimi intensiv diellor mund të deformonte të dhëna thelbësore për funksionimin e sistemeve të kontrollit të fluturimit”.

Problemi lidhet me faktin se rrezatimi i fortë diellor dhe ai kozmik në lartësi të mëdha mund të ndikojnë në funksionimin e kompjuterit ELAC, i cili kontrollon timonin dhe pelerinat, sipërfaqe aerodinamike që përdoren për ngritjen, uljen ose kthimin e avionit.

Familja A320 përdor teknologjinë “fly-by-wire”, që do të thotë se nuk ka lidhje mekanike të drejtpërdrejtë mes komandave në kabinën e pilotit dhe pjesëve të avionit që kontrollojnë fluturimin. Veprimet e pilotit “interpretohen” nga kompjuterët, të cilët në fakt janë ata që drejtojnë avionin.