WhatsApp përballet me një hetim antitrust në Bashkimin Evropian, pasi rregullatorët thanë sot se po shqyrtojnë politikën e inteligjencës artificiale të shërbimit të mesazheve, sipas AP.

Komisioni Evropian ka hapur një hetim formal për shkak të shqetësimeve lidhur me vendimin e WhatsApp për të kufizuar aksesin për ofruesit e inteligjencës artificiale të palëve të treta.

WhatsApp, në pronësi të kompanisë mëmë të Facebook, “Meta Platforms”, lançoi funksionin e tij të chatbot-it të inteligjencës artificiale për përdoruesit e Bashkimit Evropian në mars pas disa vonesave.

Komisioni, i cili është krahu ekzekutiv i bllokut, tha se një përditësim i kohëve të fundit i politikave mund të nënkuptojë që kompanitë rivale të inteligjencës artificiale të bllokohen nga ofrimi i asistentëve të tyre të inteligjencës artificiale në platformë, ndërsa shërbimi i chatbot-it të “Meta” mbetet i aksesueshëm për përdoruesit.

Rregullatorët po shqyrtojnë termat dhe kushtet e reja për klientët e biznesit, të cilët mund të përdorin asistentë të inteligjencës artificiale për të komunikuar me klientët përmes WhatsApp.

Teresa Ribera, nënkryetarja e komisionit që mbikëqyr çështjet e konkurrencës, tha se blloku kërkon të parandalojë kompanitë e mëdha të teknologjisë nga eliminimi i konkurrentëve inovativë.

“Kjo është arsyeja pse po hetojmë nëse politika e re e “Meta” mund të jetë e paligjshme sipas rregullave të konkurrencës dhe nëse duhet të veprojmë shpejt për të parandaluar çdo dëm të mundshëm të pariparueshëm ndaj konkurrencës në hapësirën e IA-së”, tha ajo në një deklaratë për shtyp.

“Pretendimet e Komisionit janë të pabaza”, tha WhatsApp në një deklaratë.

Hetimi do të mbulojë të 27 vendet e BE-së, përveç Italisë, ku autoritetet kanë hapur tashmë hetimin e tyre të veçantë.