Prokuroria e Posaçme ka reaguar pas disa raportimeve se anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë janë nën përgjim nga SPAK.
Në reagim, SPAK shprehet se asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi.
Gjithashtu theksohet se Prokuroria e Posaçme “s’ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e KLP dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore”.
“Deklarimet e bëra përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme”, theksohet në reagim.
Reagimi i SPAK:
Në përgjigje të disa kërkesave tuaja, ju bëjmë me dije se:
1.Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme.
2.SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore.
Deklarimet e bëra në media përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme.
Çdo deklaratë e pabazuar në fakte dhe e mbështetur në spekulime mbetet në kuadrin e retorikës së pakonfirmuar, në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar Strukturën së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.





