Kjo javë ka nisur me mot të qëndrueshëm.
Sipas parashikimeve të meteorologëve, dielli do të na shoqërojë përgjatë gjithë kësaj jave.
“Gjatë gjithë këtyre ditëve do të jemi nën mbizotërimin e motit të qendrueshëm, duke bërë që të kemi intervale të gjata me diell, kalime të lehta të vranësirave. Kthjellimet më të dukshme do të jenë gjatë orëve të para të mëngjesit dhe mesdites, të fokusuara kryesisht në Ultësirën Perëndimore dhe më së shumti në vijën bregdetare, ndërsa në zonat malore herë pas here do të kemi kalime të vranësirave. Do të jenë të shpeshta por nuk do të krijojnë mundësi për reshje”, u shpreh Hakil Osmani, sinoptikan pranë MeteoAlb.
Sinoptikanët thonë se temperaturat do të rriten, si në vlerat maksimale ashtu edhe në ato minimale.
“Sa i përket temperaturave të ajrit gjatë kësaj jave, maksimumet do të jenë 5-6 gradë më të larta se sa vlerat maksimale, pasi presim maksimume, të cilat do luhaten gjatë gjithë kësaj jave nga 20°C-22°C. Temperaturat më të larta parashikohen të jenë në pjesën e dytë të javës. Dita e enjte, dita e premte, do të sjellin maksimume rreth vlerës 22°C në rang territori”, shtoi sinoptikani.
Kjo javë do të jetë e ngrohtë dhe parametri i erës nuk do të jetë shqetësues.





