Një incident i rëndë ndodhi në kompleksin tregtar Storo Storsenter në Oslo, ku një 19-vjeçar u arrestua pasi qëlloi me armë zjarri brenda ambienteve të qendrës.
Fatmirësisht, autoritetet konfirmuan se nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.
Sipas policisë norvegjeze, operacioni nisi pas një telefonate ku një burrë njoftonte se ndodhej në qendër i armatosur. Ndërsa patrullat po i afroheshin vendngjarjes, shërbimet emergjente morën disa raportime për një të shtënë.
Forcat policore ndërhynë me shpejtësi, identifikuan dhe vunë në pranga 19-vjeçarin. Gjatë kontrollit u sekuestrua arma e përdorur — një pushkë gjuetie — me të cilën ai kishte qëlluar në tavanin e hapësirës së përbashkët në katin e dytë.
Qendra tregtare u evakuua për arsye sigurie dhe më pas u rihap pasi u konsiderua e sigurt.





