Kriminelët të cilët nuk po dëbohen nga vendi janë kthyer në shqetësim për Britaninë e Madhe. Së fundmi, autoritetet kanë marrë shembull një shqiptar dhe një irakian, të cilët me pretendimet e tyre, edhe pse të dënuar, kanë mundur që mos të kthehen në vendet e origjinës.

Sipas “Daily Mail”, duhet një legjislacion i ri për të zhbërë këtë fenomen. Në një rast, një gangster shqiptar i burgosur për gjashtë vjet për drejtimin e makinës së tij me shpejtësi duke rrezikuar jetën e policisë ndërsa kishte rreth 1 mln paund kokainë me vete, shmangu dëbimin me argumenti se rrezikohej nga gjakmarrja “nëse do të dërgohej në shtëpi”.

Në anën tjetër, një refugjat irakian i shpëtoi dëbimit pasi u lirua më shpejt nga burgu gabimisht dhe vazhdoi të ishte “mbret” i grupeve famëkeqe.

Rastet nxjerrin në pah pengesat ligjore me të cilat përballen autoritetet kur përpiqen të dëbojnë kriminelë seriozë të huaj.

Megjithatë, numri i shkelësve seriozë të dëbuar ka rënë me gati 40 për qind në katër vitet e fundit – nga 5,218 në 2015-n në 3,225 vitin e kaluar.

David Spencer, drejtor i hulumtimit në Qendrën për Parandalimin e Krimit, tha: “Është skandaloze që ka mijëra kriminelë të huaj që jetojnë lirshëm në komunitetet tona kur duhet të ishin deportuar prej kohësh.”

Një shkelës i tillë është Resul Rahova, një shqiptar i dënuar si tregtar i drogës. Pasi arriti në tetor 2011, atij iu dha statusi i refugjatit me leje të kufizuar për të qëndruar deri në shkurt 2017.

Atij iu dha një dënim me burg për 6 vite për veprat penale të drogës në vitin 2016, por ai ia dol me sukses të shmangte dëbimin duke pretenduar rrezikun e gjakmarrjes në Shqipëri.

Me gjithë përpjekjet e mëtejshme për ta larguar nga Britania, atij i është lejuar të qëndrojë në bazë të Ligjit për të drejtat e njeriut. Ndërkohë, refugjati irakian dhe tregtari i dënuar i drogës Serook Saeed, 33 vjeç, shmangu dëbimin pasi u lirua herët nga burgu gabimisht.

Ai shfrytëzoi lirinë e tij për t’u bërë një shef i drogave në rrethe. Saeed, i cili argumentoi se jeta e tij do të ishte në rrezik në Irak, tani është përsëri prapa hekurave pasi u dënua për drejtimin e një bande që drejtonte heroinë dhe kokainë nga Londra për në Kent.