Muzeu i famshëm i Luvrit në Paris ka mbyllur dyert, pasi punonjësit nisën një grevë të përgjithshme, duke paralajmëruar se situata brenda institucionit ka arritur në pikë kritike. Greva vjen në një nga periudhat më të ngarkuara të vitit për muzeun më të vizituar në botë.
Të tri sindikatat kryesore të Luvrit kanë shpallur një grevë të vazhdueshme, duke kërkuar investime urgjente në infrastrukturë, përmirësim të kushteve të punës dhe shtim të stafit, veçanërisht në sektorin e sigurisë. Sipas tyre, qysh prej vitit 2015 janë shkurtuar rreth 200 vende pune.





