Pas gati gjashtë muajsh hetimesh u arrit identifikimi i vrasësit të dyshuarit të Fatos Cenajt, 58-vjeçarit shqiptar të vrarë me një plumb në kokë më 8 qershor.

Trupi i viktimës, një ish-roje burgu, u gjet në një rrugë rurale në Fontanaviva, në provincën e Padovës, disa qindra metra larg shtëpisë ku ai jetonte me familjen e tij.

Të shtunën, më 13 dhjetor, karabinierët arrestuan fqinjin e viktimës, një punëtor 45-vjeçar, i identifikuar si Moreno Violetto, i cili tani akuzohet për vrasje të rëndë.

Hetuesit italianë arritën ta identifikonin vrasësin e dyshuar duke analizuar pamjet filmike të atij mëngjesi, kur Fatos Cenaj, gjatë rrugës për në stallën e hipizmit ku punonte, hasi një çiklist.

Burri mbante një helmetë, syze dielli, një maskë dhe të dy krahët veshur me mëngë tattoo.

Duke ndjekur gjurmët e maskës dhe mëngëve tattoo, karabinierët zbuluan se ishin blerë në Amazon nga fqinji i viktimës.

45-vjeçari kishte blerë gjithashtu bojë për të ndryshuar ngjyrën e biçikletës së tij dhe materiale të tjera për të bërë armë zjarri dhe municione në shtëpi. Disa nga materialet u zbuluan gjatë një kontrolli të kryer në korrik, kur iu sekuestrua biçikleta.

Në magazinën pas shtëpisë së tij, u gjetën edhe disa plumba të prodhuar në shtëpi, të cilat Moreno Violetto i kishte qëlluar si provë.

Hetuesit gjetën gjithashtu një përputhshmëri midis mbetjeve të armës së zjarrit me të cilën u qëllua shqiptari dhe gjurmëve të gjetura në biçikletën e fqinjit të tij.

Fatos Cenaj kishte shërbyer në policinë e burgjeve në Shqipëri përpara se të bashkohej me familjen e tij, e cila ishte transferuar në Itali disa vite më parë dhe kishte blerë një shtëpi në Fontaniva.

Dyshohet se shkak i krimit ishin mosmarrëveshjet që dy fqinjët kishin me njëri-tjetrin.