Nga BUJAR QESJA

Një heshtje e rëndë!

Më 20 dhjetor 2025, u shua një nga zërat më të mëdhenj të historisë së sportit shqiptar. U nda nga jeta Ismet Bellova, senatori i transmetimeve të futbollit, njeriu që për më shumë se gjashtë dekada, i dha zë emocioneve, fitoreve, dhimbjeve dhe krenarisë sportive të një kombi të tërë.

Me ikjen e tij, futbolli shqiptar humbi jo vetëm një komentator, por një epokë të tërë.

Lindur më 1 qershor 1934, Ismet Bellova e mbylli jetën në moshën 91-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi që nuk matet me vite, por me ndikim, me kujtesë kolektive dhe me dashuri popullore.

Nga Dibra me pasion, drejt historisë

Me origjinë nga Dibra, Ismet Bellova ishte shembulli i njeriut që e ndërtoi veten me punë, përkushtim dhe pasion të pashuar. Që në rini, sporti ishte frymëmarrja e tij. Nuk ishte thjesht një zë pas mikrofonit. Ishte sportist, mësues, pedagog, shkrimtar, gazetar, komentator, organizator dhe mbi të gjitha figurë madhore e sportit dhe futbollit shqiptar.

Në vitin 1950, ende shumë i ri, Ismeti nisi rrugëtimin e tij në transmetimet sportive. Askush atëherë nuk mund ta imagjinonte, se ai zë do të bëhej pikë referimi për breza të tërë, shoqërues besnik i çdo ndeshjeje të madhe e të vogël.

Zëri që nuk ngatërrohej me asnjë tjetër

Ismet Bellova kishte një zë karakteristik, të fortë, të qartë, plot emocion dhe autoritet. Ishte nga ata zëra që, sapo dëgjoheshin, nuk kishin nevojë për prezantim. Publiku e njihte, e donte dhe i besonte.

Ai nuk komentonte thjesht lojën, por e jetonte atë. Çdo gol, çdo aksion, çdo moment dramatik merrte kuptim të veçantë përmes fjalëve të tij. Për këtë arsye, Ismet Bellova u bë jashtëzakonisht popullor, figurë që hyri në shtëpitë shqiptare si mik i dashur.

Nxënës i brezit të artë të Anton Mazrekut, dëshmitar i historisë

Ismet Bellova e përjetoi nga afër ndarjen nga jeta të Anton Mazrekut, babait të transmetimeve të futbollit në Radio Tirana, në vitin 1969. Ai ishte një dëshmitar i drejtpërdrejtë i brezit themelues të komentimit sportiv shqiptar dhe një vazhdues dinjitoz i asaj tradite.

Në shumë aspekte, Ismet Bellova u bë ura që lidhi të shkuarën me të tashmen, klasikën me modernen, radion me televizionin, emocionin e vjetër me ritmin e kohëve të reja.

Një jetë për sportin, një familje kampionësh

Në jetën personale, Ismet Bellova ishte i martuar me Bukuroshe Shtizën, mjeshtre e njohur e basketbollit shqiptar. Bashkimi i tyre ishte simbolik: dy jetë të lidhura ngushtë me sportin, me edukimin dhe me vlerat.

Familja e tij ishte baza nga ku merrte forcë për të vazhduar një mision, që nuk ishte kurrë thjesht profesion, por thirrje shpirtërore.

Transmetimi i fundit, por jo fundi i kujtesës

Transmetimin e tij të fundit Ismet Bellova e realizoi më 13 dhjetor 2019 në stadiumin e ri Air Albania, madje e përuroi këtë tempull sportiv.

Edhe pse mikrofonin e la mënjanë, zëri i tij nuk u shua kurrë në kujtesën e publikut. Vazhdoi të jetojë në arkiva, në kujtime, në biseda, në mallin e atyre që u rritën me komentet e tij.

Zi në botën e sportit dhe opinionin qytetar shqiptar

Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës, është zi për gjithë botën e sportit dhe qytetarisë shqiptare. Është humbje për gazetarinë sportive, për futbollin, për kulturën publike dhe për historinë kombëtare të transmetimit.

Ishte më shumë se një profesionist, ishte institucion.

Idhulli im, zëri që më rriti

Për mua dhe për shumë të tjerë, Ismet Bellova mbetet idhull. Transmetimet e tij më formuan, më mësuan ta dua futbollin, ta kuptoj lojën dhe ta ndjej emocionin e pastër sportiv. Do ta kujtoj gjithmonë me mall, me respekt dhe me mirënjohje të pafund.

Figura e tij do të mbetet e skalitur në memorien time dhe në ndërgjegjen sportive të këtij vendi.

Lamtumirë, senator i fjalës dhe i emocionit!

Lamtumirë Ismet Bellova!

Zëri yt u shua, por jehona e tij, do të vazhdojë të dëgjohet sa herë që topi rrotullohet në fushë.

Pushofsh në paqe, mjeshtër i madh!

Historia e sportit shqiptar nuk do të shkruhet kurrë pa emrin tënd.