Tensione janë shënuar para Kryeministrisë gjatë protestës së thirrur nga opozita të hënën.

Menjëherë pas fjalimit të kryedemokratit Sali Berisha protestuesit nisën të përplasen me policinë duke hedhur flakadanë në drejtim të godinë së qeverisë.

Situata u menaxhua nga forcat e shumta të policisë që kishin krijuar një kordon përreth Kryeministrisë duke shmangur përplasjet me protestuesit.

Berisha u largua nga protesta menjëherë sapo mbaroi fjalimin e tij, ndërkohë që protestuesit vijuan të qëndrojnë para godinës së qeverisë duke u përpjekur herë pas here të heqin gardhin metalik të vendosur nga policia.

PD organizoi mbëmjen e së hënës protestën kombëtare ku morën pjesë edhe përfaqësues të fraksioneve brenda partisë siç është Ervin Salianji.

Në fjalën e mbajtur para mbështetësve Berisha premtoi se opozita do ta rrëzojë qeverinë e kryeministrit Edi Rama të cilin e cilësoi kapobandë dhe përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

Kreu i PD iu përgjigj edhe skeptikëve ndaj protestave të opozitës, duke theksuar se qëllimi i tyre është largimi i kryeministrit nga pushteti.

“Në këmbë shqiptarë, me misionin historik për të larguar Ramën. Për të shpëtuar familjen shqiptare, demokracinë. Ne jemi këtu sot dhe jam i bindur se me të drejtë ka qytetarë në shesh dhe të tjerë që na ndjekin dhe thonë: ‘Çfarë do bëjnë këta? Ne do bëjmë atë ‘ja do vdesim, ja do rrojmë për liri’. Mjerë ai që provohet me ne. Ne do t’i shkojmë në Surrel… Kur ne kemi dalë me këtë betim, kurrë nuk kemi humbur. Nuk mundet kurrë një grusht hajdutësh të na nëpërkëmbin ne, të nxijnë Shqipërinë… Ai na ka shpallur luftë, ne i shpallim luftë”, deklaroi Berisha.