Maks Haxhia, avokati i Ergys Agasit, ka folur sot për mediat duke mohuar akuzat ndaj klientit të tij.

Ai tha se “nuk ka prova për episodin e pretenduar të pengmarrjes”. “Agasi nuk është punonjës i shtetit”, tha avokati Maks Haxhia i cili shtoi se kamerat në zyrën e klientit të tij janë vendosur për arsye sigurie, pasi më herët ka pasur tentativa për ti vjedhur biznesin.

Ergys Agasi është shpallur në kërkim policor, pasi është akuzuar nga SPAK për kryerjen e disa veprave penale. Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Agasit, pasi ai akuzohet për: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.